VËLLIMI 'PERANDORIA OSMANE' PËRJASHTON KRYENGRITJET E SKËNDERBEUT
“PROJEKTI I HISTORISË SË
PËRBASHKËT”: KRITIKË PESËPJESËSHE PËR (KEQ)PËRFAQËSIMIN E SHQIPTARËVE NË
LIBRAT ALTERNATIVË TË HISTORISË.
Themeluesit e OJQ-së “Center for Democracy and
Reconciliation in Southeast Europe” (CDRSEE) me seli në Selanik, më 1999
konsideruan se pajtimi afatgjatë në Ballkan është i mundshëm vetëm nëse
do të ndryshonte mënyra se si lënda shkollore e historisë mësohet në
rajonin tonë. Për këtë qëllim, atë vit inicuan projektin e tyre më të
rëndësishëm, të titulluar “Joint History Project” (Projekti i Historisë
së Përbashkët), në mënyrë që mësimdhënësve të historisë në Ballkan t’u
ofronin materiale që përmbanin shumë këndvështrime për të njëjtën
ngjarje.
Projekti synonte jo vetëm të rishikonte mësimdhënien
etnocentrike të historisë, por edhe t’i nxiste mendimin kritik e
debatin, ta promovonte diversitetin e t’i pranonte si vuajtjet ashtu
edhe arritjet e përbashkëta të popujve ballkanikë.
CDRSEE angazhoi historianë nga i gjithë rajoni dhe projekti rezultoi me
hartimin e gjashtë vëllimeve, duke nisur me historinë mesjetare të
Ballkanit për të ardhë në ditët e sotme. Vëllimet titullohen: Perandoria
Osmane; Kombet dhe Shtetet në Europën Juglindore; Luftërat
Ballkanike; Lufta e Dytë Botërore; Lufta e Ftohtë, si dhe Luftërat,
Ndarjet dhe Integrimi.
Gjatë hartimit të këtyre teksteve, CDRSEE mbajti marrëdhënie të afërta
pune me të gjitha ministritë e arsimit në rajon dhe gëzoi mbështetjen
nga gjithsej 25 donatorë ndërkombëtarë, duke përfshirë BE-në. Të gjashtë
vëllimet u përkthyen nga origjinali anglisht në dhjetë gjuhë (nëntë
ballkanike dhe japonisht) dhe u promovuan në shumë prej kryeqyteteve
rajonale, përfshirë edhe Prishtinën në vitin 2018.
Kjo seri shkrimesh vë nën objektiv mënyrën si paraqiten shqiptarët në
përgjithësi në tri vëllimet e para të këtij projekti, dhe si paraqiten
në veçanti shqiptarët në Kosovë në tri vëllimet e fundit. Seria e
shkrimeve shqyrton si janë paraqitur ngjarjet e rëndësishme historike të
shqiptarëve dhe cilat nga ngjarjet e rëndësishme nuk janë paraqitur
fare. Po ashtu, diskuton si është dashur të paraqiteshin, duke marrë për
bazë autorë ndërkombëtarë si Noel Malcolm, Oliver Schmitt, Peter Bartl,
e të tjerë që trajtojnë zhvillimet dhe ngjarjet në Kosovë në periudha
të ndryshme historike.
Kritikë vëllimit “Perandoria Osmane”
Periudha osmane në vendet e rajonit ballkanik u mësohet
nxënësve kryesisht nga këndvështrimi etnocentrik, me informata të
pasistemuara e paragjykime, dhe me vlerësime për vetë perandorinë si
faktor “prapambeturie” ose “përparimi”. Në hyrjen e vëllimit që ngërthen
këtë periudhë, botuesit shprehen se synojnë t’i përfshijnë bashkë
përplasjet dhe bashkëjetesat, ngaqë sundimi osman kishte njohur
konflikte e mizori, por edhe negociata e bashkëpunime të të nënshtruarve
me sundimtarët për privilegje kolektive e individuale.
Ky vëllim prej pesë kapitujsh hapet me shekullin 14 dhe përfundon me
shekullin 19, i cili nuk e shënon fundin e kësaj perandorie, por fillet e
lëvizjeve kombëtare që çuan në krijimin e shteteve të pavarura
ballkanike në shekujt 19 dhe 20, tema këto që trajtohen në vëllimin
vijues.
Kapitulli i parë “Zgjerimi territorial osman në Europën Juglindore” flet
për fazat e para të shtetit osman, për rënien dhe pushtimin e
Konstantinopojës (dikur kryeqyteti i perandorisë romake e mandej i asaj
bizantine), për pushtimin osman të gadishullit ballkanik dhe për
ndryshimet e popullsisë dhe të fesë. Faqet kushtuar fazave të para të
shtetit osman dhe pushtimit të Konstantinopojës kuptohet se nuk
përmbajnë asgjë për shqiptarët, por çuditërisht nuk ka asgjë për
shqiptarët as në faqet për ndryshimet e popullsisë e të fesë.
Është krejt e habitshme që pjesa kushtuar pushtimit osman të gadishullit
ballkanik nuk jep asgjë mbi Betejën e Kosovës, që u zhvillua më 28
qershor 1389 në Fushë Kosovë, afër Prishtinës, ku u ndeshën ushtria
osmane, e udhëhequr nga Sulltan Murati, dhe koalicioni ballkanik i
udhëhequr nga Mbreti Lazar. Ajo figuron krejt telegrafikisht vetëm te
tabela kronologjike 12-faqëshe në fillim të këtij libri, në të cilën
paraqiten ngjarjet më të rëndësishme të Perandorisë Osmane në periudhën
1300-1800, ku shkruhet: “1389 – beteja e parë e Kosovës; Osmanët
mposhtin koalicionin ballkanik të udhëhequr nga Princi sërb Lazar;
Sërbia bëhet haraçpagues i Shtetit Osman”. Pra, askund në gjithë
vëllimin nuk vihet në pah pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë betejë
përkrah popujve të tjerë ballkanikë, e as mundësia – duke marrë parasysh
ndikimin e vendosur osman në disa pjesë të Shqipërisë – që disa
shqiptarë, e madje disa sërbë, të kenë qenë të përfshirë në betejë në
anën e osmanëve.
KY VËLLIM DO TË DUHEJ T’I JEPTE MOTIVET E VËRTETA TË
KRYENGRITJEVE TË UDHËHEQURA NGA SKËNDERBEU, QË KRYESISHT ISHIN FETARE
DHE PRONËSORE.
Te pushtimi osman i gadishullit ballkanik figuron vetëm një
sqarim i shkurtër për pronarët e krishterë të timareve në Shqipëri, ku
thuhet se “…osmanët për ta siguruar bashkëpunimin me fisnikët vendas, i
bënë ata vasalë, ndonjëherë duke u kërkuar që t’i dërgonin bijtë si
pengje në oborrin e Sulltanit (siç ishte rasti i të famshmit Skënderbe, i
njohur me emrin Gjergj Kastrioti, bir i Gjon Kastriotit, prijës i
Shqipërisë së Mesme)”. Në gjithë vëllimin, Skënderbeu përmendet vetëm
edhe një herë tjetër, në tabelën kronologjike, ku shkruhet: “1443 –
fillon fushata hungareze në Ballkan; shqiptarët, të udhëhequr nga
Skënderbeu, organizojnë kryengritje të suksesshme”, por nuk specifikohet
kundër kujt.
Paraqitja kaq e përciptë ta krijon përshtypjen se shqiptarët,
përkatësisht fisnikët e tyre, ishin vetëm vasalë të osmanëve.
Përshtypjen ta përforcon sidomos mosparaqitja e kryengritjeve të
shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane në periudhën 1443-1468, të cilat
nuk ishin të vetmet, por që falë figurës karizmatike të udhëheqësit të
tyre, Skënderbeut, ishin më të fortat e krishterëve të Ballkanit.
Këto kryengritje, megjithëse zhvilloheshin në një territor të vogël dhe
kryesisht malor, ishin të jashtëzakonshme në përmasa, ngaqë kishin
përballë perandorinë më të madhe të kohës, por edhe për shkak të
vasalitetit të Skënderbeut karshi shteteve italiane. Ky vëllim do të
duhej madje t’i jepte motivet e vërteta të kryengritjeve të udhëhequra
nga Skënderbeu, që kryesisht ishin fetare dhe pronësore, ndërsa pas
vrasjes së babait të tij me urdhër të Sulltanit, edhe hakmarrëse.
Në vijim të kësaj, vëllimi nuk e paraqet fare as besëlidhjen ushtarake
të njohur si Kuvendi i Lezhës (i krijuar në Lezhë më 2 mars 1444 me
qëllim për të kundërshtuar Perandorinë Osmane), me pjesëmarrje
sundimtarësh edhe prej etnive të tjera (siç ishte familja Crnojević), ku
secili pjesëtar i saj ruante mëvetësinë e plotë, e Skënderbeu ishte
vetëm i pari në mesin e të parëve dhe jo sundimtar i ndonjë shteti
shqiptar. Po ashtu, për të treguar bashkëpunimin në mes të popujve të
Ballkanit, në vëllim do të ishte mirë që mes tjerash të figuronin
telegrafikisht edhe të dhëna që i ofron historiani Oliver Jens Schmitt,
se flamuri që ngriti Skënderbeu kishte shqiponjën e Bizantit ose se
babai i Skënderbeut ishte martuar me Vojsavën nga familja e madhe
fisnike Branković.
DEVSHIRME ISHTE NJË METODË SISTEMATIKE E REKRUTIMIT ME FORCË TË
DJEMVE TË VEGJËL: ZAKONISHT MERRNIN NGA NJË FËMIJË NË ÇDO DYZET SHTËPI, E
DËRGONIN NË STAMBOLL, KU IA NDËRRONIN FENË, I MËSONIN TURQISHTEN DHE E
STËRVISNIN PËR USHTAR.
Duhet shtuar se kapitulli i parë mes pushtimeve osmane të
gadishullit jep edhe shkoqitje rreth shkatërrimeve në Slloveni, banorëve
të Beogradit të zënë robër, robërve të krishterë në Bosnjë, por asgjë
rreth shqiptarëve. Ç’është e drejta, figuron një fragment për rënien e
Novobërdës së Kosovës më 1455, nga libri me memoare “Historia ose
kronika turke” i autorit nga Novobërda, Konstantin Mihailović, por në të
flitet për deportime, vrasje, përdhunime e rrëmbime të të rinjve sërbë,
por asgjë për shqiptarët.
Kapitulli i dytë “Institucionet e Perandorisë Osmane”, përmban një
fragment nga historiani turk Halil Inalcik, të titulluar “Lutfi Pasha
kujton karrierën që nga koha kur u rekrutua me anë të sistemit të
devshirmes”, me të dhëna biografike për këtë vezir të madh, ku për
shqiptarët jepet vetëm fraza “ishte lindur në Shqipëri”.
Devshirme ishte një metodë sistematike e rekrutimit me forcë të djemve
të vegjël, e zhvilluar gjatë shekujve 15-16: zakonisht merrnin nga një
fëmijë në çdo dyzet shtëpi, e dërgonin në Stamboll, ku ia ndërronin
fenë, i mësonin turqishten dhe e stërvisnin për ushtar. Në fshatrat e
krishtera devshirme nuk ishte popullore, prandaj më 1565 në Shqipëri
kishte shpërthyer një kryengritje kundër saj, që nuk përmendet në këtë
vëllim, e as e dhëna se kishte vise, si Novobërda, të liruara nga detyra
për devshirme, çka konsiderohej privilegj i posaçëm.
Vëllimi nuk shënon kurrkund as se shqiptarët çmoheshin veçanërisht nga
mbledhësit e devshirmes për shkak të qëndrueshmërisë fizike dhe zotësive
luftarake, as se shumë shqiptarë arrinin të bëheshin pushtetarë në
pozitat më të larta shtetërore, në shpërputhje me numrin e tyre si
popullsi. Nuk përmendet askund se dy kryevezirë të shekullit 15, Ahmet
Pasha e Daut Pasha, ishin me prejardhje shqiptare, e numri i
përgjithshëm i kryevezirëve shqiptarë në historinë e Perandorisë Osmane,
duke përfshirë edhe shumë shqiptarë të Kosovës, arrinte në 42; ndërkaq
nga 92 vezirët e mëdhenj që qeverisën nga shekulli 15 e deri në
shekullin 17, me prejardhje shqiptare ishin 25, e me prejardhje turke
19.
Kapitulli i tretë “Institucionet, bashkësitë dhe ritet fetare” nuk jep
asgjë për shqiptarët. Këtu, e madje edhe në kaptullin e parë, do të mund
të paraqitej përhapja e islamit ndër shqiptarë, duke i theksuar
faktorët që e ndikuan, si presioni nëpërmjet taksës për tokë, që e
paguanin vetëm të krishterët, pastaj marrja e dërgimi i djemve të
krishterë në Stamboll, por edhe arsyet e tjera si: interesi ekonomik,
ngaqë lehtësoheshin taksat; mundësitë e karrierës; statusi, përkatësisht
prestigji, që rezultoi me vrull më të hovshëm të islamizimit në qytete;
pastaj numri më i ulët i priftërinjve katolikë shqiptarë sesa gjatë
sundimit mesjetar sërb.
Ndryshe nga ç’bëhet me vendet e tjera të prezentuara në këtë vëllim, nuk
figuron as edhe një objekt i ndërtuar në hapësirat e banuara me
shqiptarë gjatë periudhës së sundimit gati pesëshekullor osman, siç
janë: objektet për ritet fetare (xhamitë, mesxhidet, tyrbet, teqetë);
objektet arsimore (medresetë e bibliotekat); dhe objektet e tjera
(hamamet, urat e gurit, krojet publike, shtëpitë e banimit, kullat e
sahatit, shatërvanet, hanet, çarshitë, etj.).
Mangësi në përfaqësimet shoqërore e kulturore shqiptare
Kapitulli i katërt “Ndarjet shoqërore dhe jeta e përditshme”,
fillon me nënkapitullin e titulluar “Elitat dhe populli i thjeshtë”, ku
përmes fotografive portretohen tipat shoqërorë osmanë. Nga 20 fotografi
dhe piktura, shqiptarët prezantohen me dy.
E para, pikturë nga Jean-Baptiste Hilaire (1809) titullohet “Ushtarë në
Shqipëri” dhe shoqërohet me një tekst që i shpjegon levendët, ushtarët
me pagesë të Perandorisë Osmane, të cilët, siç thuhet aty, ndonjëherë
bashkoheshin me ushtritë armike dhe i plaçkisnin provincat osmane. E
dyta është piktura “Një ajan i shquar – Ali Pasha i Janinës” nga Louis
Dupre (1819), teksti përfundi të cilës flet për ajanët, njerëzit e pasur
që nëpërmjet fajdeve dhe tregtisë grumbullonin pasuri të mëdha,
krijonin ushtri private dhe fitonin kontrollin politik në provinca. Pra,
shqiptarët këtu paraqiten vetëm si ushtarë me pagesë që u bashkoheshin
edhe ushtrive armike për t’i plaçkitur provincat osmane, si dhe si
njerëz të pasuruar përmes fajdeve, që krijonin ushtri private për
kontroll politik në provinca.
Nuk jepet asgjë për familjen Janina që e themeloi Pashallëkun e Janinës,
e as për familjet feudale shqiptare si ajo Bushati, që e themeloi
Pashallëkun e Shkodrës. Po ashtu, nuk përmenden familjet sikur familja
feudale Begolli në Pejë, Kryeziu në Gjakovë, Rrotlla në Prizren (që e
kishte sunduar Prizrenin prej vitit 1770 e deri më 1836 dhe kishte
ndërtuar e rindërtuar një mori ndërtesash publike: xhami, medrese,
hamame, postë, e me radhë), dhe Gjinolli në Prishtinë e Gjilan, (që
ishte aq e fuqishme në fillim të shekullit 19, sa pjesëtarët e saj ishin
quajtur “sundimtarë të dytë” të Kosovës pas Sulltanit).
Duhet pasur parasysh se pushtimi osman i hapësirave shqiptare nuk mund
të krahasohet me pasojat e pushtimit të vendeve të tjera të Ballkanit,
sidomos të Bullgarisë e të Sërbisë. Kjo ngaqë shqiptarët para pushtimit
osman nuk kishin organizim kishtar, as traditë shtetërore, as art e
letërsi që do të mund të quhej shqiptare. Dinastët shqiptarë para
pushtimit osman lëshonin dokumente në gjuhët greke, latine e sllave, dhe
asnjë dokument të vetëm në shqip.
TE NËNKAPITULLI I FUNDIT ËSHTË NJË FRAGMENT I SHKURTËR E
SKANDALOZ PËR GRATË SHQIPTARE, KU ATO PARAQITEN TË PAARSIMUARA, E QË NUK
FLASIN GJUHË TJETËR PËRVEÇ AMTARES.
E vetmja e dhënë lidhur me kulturën e shqiptarëve jepet në
tabelën kronologjike në fillim të vëllimit: “1555 -Libri i parë i botuar
në gjuhën shqipe: Meshari (Libri i Shërbesave), nga Dom Gjon Buzuku
(botuar në Itali)”, por nuk ka asgjë për shkrimtarët e pastajmë, si
Pjetër Budi, Frang Bardhi e Pjetër Bogdani. Po ashtu, nuk paraqiten
askund shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruanin në gjuhë
orientale, si Suzi nga Prizreni, Mesihi nga Prishtina, Jahja Dukagjini,
Koçi Beu, e me radhë.
“Jeta në fshat”, nënkapitulli i dytë i kapitullit katër, përmban një
pasazh korrekt nga libri “Travels in Albania and other provinces of
Turkey in 1809 and 1810” (Udhëtime në Shqipëri dhe provinca të tjera të
Turqisë më 1809 dhe 1810) të autorit Lord Broughton mbi ushqimin dhe
pijet në Shqipëri, një fotografi me enterier dhome të kohës në Arbanas,
si dhe disa pasazhe tjera nga vepra “Pictures from the Balkans”
(Fotografi nga Ballkani) të autorit John Fraser, për rrugët që ishin siç
i kishte lënë natyra dhe romakët, e që turqit nuk kishin bërë asgjë për
t’i përmirësuar ato, si dhe për vështirësitë e letërkëmbimit në
Shqipëri. Nënkapitulli i tretë “Jeta në qytet” paraqet fragmente të
autorëve të ndryshëm mbi jetën në disa prej qyteteve të rajonit. Dominon
paraqitja e jetës në qytetin e Beogradit, sipas përshkrimeve të autorit
Evliya Çelebi, por nuk ka asgjë për jetën e shqiptarëve në qytete.
Te nënkapitulli i fundit “Vështrime nga jeta e grave” është një fragment
i shkurtër e skandaloz për gratë shqiptare, marrë nga libri i njejtë i
Broughton i viteve 1809-1810, ku ato paraqiten të paarsimuara, e që nuk
flasin gjuhë tjetër përveç amtares. Për më shumë, sipas këtij teksti
shqiptarët lëre që nuk kanë ndjeshmëri pasionante ndaj grave, por edhe
ndjejnë përbuzjeje e neveri ndaj tyre, i konsiderojnë dhe i përdorin ato
si bagëti, i detyrojnë të punojnë dhe shpesh i ndëshkojnë me goditje.
Është e çuditshme që autorët e këtij vëllimi vendosin ta përfshijnë një
fragment të tillë denigrues dhe vetëm për shqiptarët e jo edhe për
popujt e tjerë të Ballkanit, duke krijuar kështu përshtypjen se kjo
mënyrë e trajtimit të grave ishte ekskluzivisht shqiptare. Ndoshta ia
vlen ta sjellim të plotë këtë fragment:
“Nuk ma ka qejfi fort të flas për moralin e shqiptarëve. Gratë e tyre,
që janë pothuajse të gjitha të paarsimuara dhe nuk flasin gjuhë tjetër
përveç amtares, konsiderohen si bagëtia e tyre dhe përdoren si të tilla
(por duke qenë të llojit më sipëror), detyrohen të punojnë dhe shpesh
ndëshkohen me goditje. Ç’është e drejta, ata ndjejnë njëfarë përbuzjeje e
madje neverie ndaj femrave të veta dhe në asnjërën nga prirjet e rralla
që shfaqin nuk ka asgjë që të mund t’i ngjasonte asaj që e quajmë
ndjeshmëri pasionante.
Megjithatë, të gjithë ata që munden, martohen, meqë martesa është
tregues i kamjes dhe meqë duan të kenë skllave në shtëpi. Për më tej,
mbasi në shumicën e viseve të vendit femrat nuk janë as për së afërmi në
numër sa gjinia tjetër, nusja shpeshherë nuk i sjell hise burrit, por
mashkulli i sjell gruas së vet dhe detyrohet t’i tubojë paraprakisht
rreth një mijë grosh në dashtë që të martohet”.
Kryengritjet që mungojnë
Kapitulli i pestë dhe i fundit “Aspekte të krizës” ngërthen
gjithsej tre nënkapituj. Dy të parët, “Fatkeqësitë natyrore” dhe “Kriza
politike në Stamboll”, nuk japin asgjë për shqiptarët. Nënkapitulli i
tretë “Luftërat, kryengritjet dhe trazirat në popull”, përmend
kryengritje të disa popujve të tjerë ballkanikë, por asnjë të
shqiptarëve, për të cilët figuron vetëm një fragment i titulluar
“Mungesa e sigurisë gjatë udhëtimit në Shqipëri”.
Çuditërisht, askund nuk përmendet as përleshja mes forcave osmane dhe
atyre austriake në vjeshtë të vitit 1689, në të cilën shqiptarë pati nga
të dyja anët; në forcat austriake, të udhëhequra nga Enea Piccolomini,
shqiptarëve u printe argjipeshkvi katolik shqiptar Pjetër Bogdani,
ndërkaq te forcat osmane u printe shqiptari Mahmut Mahmutbegolli, pashai
i Pejës që numëronte rreth 10 mijë ushtarë shqiptarë e sërbë. Në këtë
kohë, kryevezir osman ishte Mehmet Kypryly, pjesëtar i një dinastie të
fuqishme shqiptare në shërbimet publike të Perandorisë Osmane, i cili
nuk përmendet askund në këtë vëllim.
NJË SËRË KRYENGRITJESH TË SHQIPTARËVE, TË CILAT NUK ISHIN PËR
AUTONOMI E ÇLIRIM KOMBËTAR, POR KUNDËR REKRUTIMIT, UNIFORMAVE TË STILIT
PERËNDIMOR, TAKSAVE TË REJA, ÇARMATOSJES SË POPULLATËS, E ME RADHË,
MUNGOJNË NË KËTË VËLLIM.
Në të vërtetë, në këtë vëllim nuk anashkalohet tërësisht kjo
përleshje mes forcave austriake e osmane, sepse jepet një pasazh i
titulluar “Sërbët largohen nga frika e përndjekjeve osmane (1690) –
dëshmia e Atanasije Djakon Srbin-it”, i cili flet për masakrat e forcave
osmane ndaj sërbëve në Beograd e rrethinë. Për më shumë, poshtë këtij
pasazhi jepen sqarime nga redaksia mbi bashkëpunimin e sërbëve me
austriakët në vitet 1688-89, ripushtimin osman të Beogradit dhe
arratisjen e sërbëve për në territoret e kontrolluara nga austriakët.
Madje edhe te kronologjia e botuar në fillim, thuhet se ripushtimin
osman më 1690 e pason një shkallë e lartë e shpërnguljeve të sërbëve nga
Sërbia dhe Kosova.
Në gjysmën e parë të shekullit 19 Perandoria Osmane filloi zbatimin e
një morie reformash në ushtri (pezullimi i njësive të jeniçerëve,
pezullimi i sistemit të vjetruar të timareve, dërgimi i oficerëve për
stërvitje në Francë, mbajtja e uniformave të stilit perëndimor, e me
radhë), të cilat u shoqëruan me reforma në arsim, duke zhvilluar sistem
shkollor shtetëror e duke shpallë të drejta të barabarta për
jomyslimanët. Për shkak të këtyre reformave shpërthyen një sërë
kryengritjesh të shqiptarëve, të cilat nuk ishin për autonomi e çlirim
kombëtar, por kundër rekrutimit, uniformave të stilit perëndimor,
taksave të reja, çarmatosjes së popullatës, e me radhë. Por, në këtë
vëllim mungojnë këto kryengritje.
Për fund, në këtë vëllim “Perandoria Osmane”, që ndonëse synon t’i
përfshijë si përplasjet ashtu edhe bashkëjetesat e të nënshtruarve me
sundimtarët osmanë për shkak të privilegjeve individuale e kolektive,
nuk paraqiten fare as kryengritjet e as bashkëpunimet e shqiptarëve me
Perandorinë Osmane përgjatë pesë shekujve të sundimit të saj në
hapësirat e banuara me shqiptarë. Po ashtu, nuk përmenden askund
qëllimet politike të shqiptarëve, e madje as rrymat politike të tyre nën
Perandorinë Osmane.
Duhet thënë edhe se nuk vihet në pah asnjë krim i forcave osmane ndaj
shqiptarëve dhe, ç’është më e keqja, ky vëllim shqiptarët i portreton
edhe negativisht: mercenarë, plaçkitës, fajdexhinj, përbuzës të grave,
të paarsimuar, e me radhë.
***
PËRMBLEDHJE E PËRJASHTIMEVE
Vëllimi nuk i paraqet konfliktet e përplasjet e shqiptarëve
me Perandorinë Osmane. Fjala vjen, nuk vihet në pah askund pjesëmarrja e
shqiptarëve në Betejën e Kosovës të vitit 1389 përkrah popujve të tjerë
ballkanikë, e as mundësia që disa shqiptarë të kenë marrë pjesë në anën
e osmanëve.
Nuk figurojnë asnjëra prej kryengritjeve shqiptare kundër Perandorisë
Osmane në periudhën 1443-1468, të udhëhequra nga Gjergj Kastrioti
Skënderbeu, as Kuvendi i Lezhës, as të dhëna të tjera të rëndësishme nga
historia shqiptare.
Ndonëse përmendet metoda sistematike e rekrutimit me dhunë të djemve të
vegjël, e njohur si devshirme, nuk thuhet askund se më 1565 në Shqipëri
kishte shpërthyer një kryengritje kundër saj. Dhe, megjithëse paraqiten
disa kryengritje të disa popujve ballkanikë, nuk jepet asnjë e
shqiptarëve, e as përleshja mes forcave osmane dhe atyre austriake më
1689, në të cilën shqiptarë kishte në të dy taborët: të forcave
austriake nën udhëheqjen e Pjetër Bogdanit, dhe të forcave osmane nën
udhëheqjen e Mahmut Mahmutbegollit. Për më shumë, për këtë përleshje
jepet një pasazh për mizoritë e forcave osmane, por ndaj sërbëve,
përfshirë emigrimin e sërbëve nga Kosova, por nuk ka asgjë për krimet
osmane ndaj shqiptarëve.
Kur trajtohet detyrimi i devshirmes nuk përmendet se shqiptarët
çmoheshin shumë nga mbledhësit e devshirmes për shkak të qëndrueshmërisë
fizike dhe zotësive luftarake, e as se shumë shqiptarë arritën të
bëheshin pushtetarë në pozitat më të larta shtetërore, në shpërputhje me
numrin e tyre si popullsi: vetëm kryevezirë shqiptarë në historinë e
Perandorisë Osmane ishin 42.
Më tej, nuk prezantohet fare përhapja e islamit ndër shqiptarë dhe,
ndryshe nga ç’veprohet me vendet e tjera, nuk figuron asnjë objekt fetar
i ndërtuar gjatë periudhës së sundimit gati pesëshekullor osman. Nuk ka
asgjë për familjet feudale shqiptare në Shqipëri e në Kosovë dhe nuk
paraqiten askund shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruanin në
gjuhë orientale.
Ç’është më e keqja, ky vëllim shqiptarët i portreton vetëm si ushtarë me
pagesë që u bashkoheshin ushtrive armike për t’i plaçkitur provincat
osmane, si njerëz që bënin pasuri përmes fajdeve, që kishin krijuar
ushtri private për kontroll politik në provinca, që nuk dinin ç’ishte
dashuria dhe i përbuznin e madje neveriteshin nga gratë, dhe martoheshin
sa për ta pasur një skllave në shtëpi. Gratë e shqiptarëve paraqiten si
të paarsimuara, që nuk flisnin asnjë gjuhë përveç të tyres, që
përdoreshin si bagëti, të detyruara të punonin, e që ndëshkohshien
shpesh me goditje.
***
Seria e artikujve nga autori janë shkruar në kuadër të
projektit “Analizë teksteve mësimore alternative të CDRSEE-së” të
organizatës ADMOVERE, me mbështetje financiare nga Departamenti Federal
Zviceran i Punëve të Jashtme, që vepron nëpërmjet Ambasadës së Zvicrës
në Prishtinë, dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e
donatorit.
Imazhi i ballinës: Marrë nga libri “Mësimdhënia e historisë moderne të Europës Juglindore”.
Botuar në K2.0